Haziri: Ofroj qeverisje gjithëpërfshirëse në interes të zhvillimit të Gjilanit

Nga

Gjilan, 2 mars 2018 – Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, në një konferencë për gazetarë, ka thënë se po punojnë për një qeverisje gjithëpërfshirëse në interes të zhvillimit të Gjilanit në këtë mandat katër vjeçar, në kuadër të emërimit të Kabinetit të ri.

“Qëllimi ynë është që të ndërtojmë një administratë sa më profesionale e gjithëpërfshirëse për realizimin e programit qeverisës Gjilani 2017 +. Gjilani, përveç mjeteve për autostradën, i ka të siguruara edhe 36 milionë euro për investime publike. Prandaj, unë ofroj qeverisje gjithëpërfshirëse në interes të zhvillimit të Gjilanit”, tha Haziri.

Haziri theksoi se këto ndryshime në bordin e ri do të ndodhin pas ndryshimeve në Statutin e Komunës.

“Jemi në javën e fundit të konsultimeve me publikun për ndryshimin e statutit të Komunës, deri më 8 mars. Ky dokument është kushtetuta e Komunës, ndryshimi i të cilit do t’i hap rrugë emërimeve të reja. Ftoj shoqërinë civile, grupet e interesit dhe të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e Komunës”, ka theksuar Haziri.

Në konferencën e sotme, i pari i gjilanasve ka apeluar të gjithë ata që kanë obligime ndaj Komunës që t’i shlyejnë ato, përndryshe tha se do t’i përmbyllin përmes përmbaruesve privat.

“E vetmja kategori e cila do të jetë e kursyer në këtë aspekt është ajo e qytetarëve që janë me kartelë sociale sepse vazhdoj që punoj me logjikën se nuk mund të ketë Komunë të pasur me qytetarë të varfër”, ka nënvizuar kryetari Haziri.

Ai pohoi se janë duke punuar që t’i tejkalojnë problemet në ndërmarrjen “Eco-higjiena”, duke kërkuar nga ta që të heqin dorë nga egot dhe t’i përmbushin detyrat ligjore.

Në fund, kryetari Lutfi Haziri ka kërkuar nga qytetarët durim sa i përket ndërtimit të “Rrugës së Kumanovës”, e cila pritet që të realizohet në të ardhmen.

“Ky projekt është i kushtueshëm 3 milionë euro dhe fillimisht duhet ta ndërtojmë infrastrukturën nëntokësore”, përfundoi Haziri.

Mund të lexoni dhe