Lutfi Haziri: Ibrahim Rugova, me tre hapa të vegjël, bëri historinë epokale të shqiptarëve në Ballkan

Nga

Gjilan, 21 janar 2018 – Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në Gjilan sot është mbajtur akademi përkujtimore në shënim të 12-vjetorit të ndarjes nga jeta të presidentit, Ibrahim Rugova, ku përveç përfaqësueve të insitucioneve, ka marrë pjesë edhe familja Rugova.

Duke folur me figurën e tij, kryetari Haziri ka përmendur tre hapa, të cilët, sipas tij, bën historinë epokale të shqiptarëve në Ballkan.

“Gjilani në këto 12 vite është ndarë veç fizikisht nga lideri shpirtëror, themeluesi i shtetit tonë, Ibrahim Rugova. Ai ndërtoi solidaritet, miqësi dhe arriti t’i bind të gjithë partnerët që një popull i vjetër i ndarë dhe i sunduar nga regjimet e egra, ka nevojë për miq. Për nëntë vite të Ibrahim Rugovës, është arritur që aspitratat 100 vjeçare të realizohen. Për këto vite, arriti t’i orientoj për së mbari të gjithë shqiptarët në drejtimin politik, duke nga pajtuar dhe bashkuar të gjithëve pa dallim dhe duke na rreshtuar drejt perëndimit”, ka thënë Haziri.

“Hapi i dytë i tij ishte ruajtja e qytetarit, ruajtja e familjes, duke mos lejuar që aventurierët politikë, ta fusnin Kosovën në luftëra e konflikte të ish-Jugosllavisë, që në atë kohë përcitën në mënyrë të organizuar. Ne sot duhet t’i themi faleminderit të na shpëtove nga ajo masakër e madhe e kolektive që përgatitej në fillim vitet 90-ta”, ka shtuar Haziri.

“Duke na përgatitur në hapin e tretë të fundit, presidenti Rugova bëri një mobilizim ndërkombëtar dhe vendosi që standardin ndërkombëtar ta thente me heshtjen e tij. Ajo heshtje e tij me durim e me punë, bëri që burrështetasit e mëdhenjë të gjenin rrugë formale dhe joformale që të ndërhynin në Kosovë për të na shpërtuar nga masakra e planifikuar, e cila ishte në derën tonë. Ai diti që politikën paqësore ta çonte deri në fund me vizionin më të madh dhe diti që edhe luftën ta menaxhonte si mjeti i fundit i politikës, duke mos lejuar që kryengritja çlirimtare të kthehet në vëllavrasje. Këta tre hapa të vegjël, bën historinë epokale të shqiptarëve në Ballkan”, ka thënë ai.

Shkrimtari i njohur kosovar, Ibrahim Kadriu, është shprehur se emri i presidentit Rugova gjithnjë e më të shumë do të ngritet në piedestal marrë parasyshë vizionin për orientimin properëndimor të  shqiptarëve, ndërkaq profesor Anton Nikë Berisha, duke folur rreth krijimtarisë studimore, tha se kthesa që bëri në studimet e lëtërsisë ishte e jashtëzakonshme për atë kohë.

“Ai e shihte letërsinë si diçka të veçantë, jo si tematikë dhe këtu ishte kthesa”, ka thënë Berisha.

Në këtë akademi ka folur edhe shkrimtari, Sabit Rrustemi, i cili ka vlerësuar lartë figurën e presidentit Rugova si në rrafshin letrar, e po ashtu edhe në atë politik.

Në fund, është paraqitur edhe kori i femrava të qytetit me disa pika muzikore të përgatitura enkas për këtë akademi, nën udhëheqjen e dirigjentes Florentina Rushiti-Bajrami. ​

Mund të lexoni dhe